Wednesday , 14 November 2018

Flet shqiptari i kthyer nga Siria: Atje nuk ka Islam atje bëhet luftë për para dhe pushtet


“Në Siri nuk luftohet në emër të Zotit, por për para dhe pushtet”. Me këtë konkluzion ka arritur në përfundim një prej luftëtarëve shqiptarë, M. A., i cili ka luftuar në Siri, në radhët e grupimit islamik “Al ­Nusra”.
Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, 35­vjeçari nga Puka tregon gjithë historinë e tij, si është inspiruar për të shkuar dhe luftuar në Siri. Ai tregon se çdo veprim e ka ndërmarrë i vetëm dhe pa dijeninë e askujt, kohën kur shikonte videot të hedhura në rrjete sociale ku luftohej për xhihad.
Sipas tij, të luftoje në Siri nuk kishte asnjë lidhje me xhihadin, ndërsa gjithçka bëhej për pushtet.
Si është historia juaj, kur keni shkuar për luftim në Siri?
Historia ime është paksa e pabesueshme. Gjithçka nis që në muajin mars të vitit 2013. Shikoja shumë videot që hidheshin nëpër rrjetet sociale, ku bëheshin thirrje për të luftuar në Siri. Në video thirrjet bëheshin në emër të fesë, si dhe luftimet sipas tyre bëheshin në emër të fesë. Marr guximin dhe nisem për të shkuar atje. Fillimisht shkoj në Turqi, normalisht isha informuar më parë. Por çdo gjë e kam bërë me mendimin se në Siri luftimet bëheshin në emër të fesë. Nejse, arrij në Turqi dhe aty shkoj në një vend ku rrinë personat që duan të shkojnë në Siri. Atë kohë unë mbaja mjekër dhe, sapo më shohin vijnë drejt meje dhe më pyesin se do të shkoja në Siri apo jo. Ata e dinin shumë mirë këtë punë. I konfirmoj atyre që isha nisur për në Siri dhe më marrin me vete. Aty më pyetën nëse dija të flisja arabisht apo jo. Unë normalisht dija arabisht, pasi kisha shkuar i përgatitur. Në Turqi qëndrova pesë ditë, ndërsa prisnim që të vinin persona të tjerë. Pas disa ditësh qëndrimi aty në Turqi, bashkë me personat e tjerë që kishin ardhur nga mbarë Evropa u nisëm me një autobus për në Siri.
Çfarë ndodhi pasi u nisët?
Në autobus të gjithë dhe ikim. Do të kalonim kufirin dhe unë e kisha disi atë ndjesinë që të ndalon policia, e ndoshta do na duhej të kalonim nëpër male. Pra mendoja sikur të iknim në emigrim të paligjshëm, sikur iknim njëherë e në një kohë në Greqi, që kalonim në male. Por jo, në këtë rast ishte gjithçka ndryshe. Kur kalonim kufirin ushtarët dhe policia na përshëndetnin. Unë mendoja do na shohin kështu me mjekër e do na bënin ndonjë gjë. Aty u habita unë dhe po filloja të ftillohesha. Mbërrijmë në Siri. Fillimisht ushtarët atje na morën dhe po na mësonin me idenë e vrasjes së njeriut, pra të vritnim njerëz. Kishin disa persona që i mbanin peng dhe, i morën i ulën para nesh e i prenë kokat pa asnjë problem.
Si t’u duk kjo pjesë?
Ishte shumë skenë e llahtarshme ajo që kam parë. Unë mund ta bëja copa me plumba, por ama jo ashtu. Kaloi ky moment dhe na dërguan tek armatimet. Unë e dija shumë mirë këtë pjesën e armëve. Dija t’i përdorja mirë ato dhe llojet e tyre, pasi kisha studiuar dhe lexuar shumë. Në një kohë shumë të shkurtër unë mora një post drejtues aty, pasi ata që dinin të përdornin armët shumë mirë e merrnin shumë shpejt këtë post. Por unë nuk isha fare dakord. Aty gjithçka bëhej vetëm për para dhe pushtet. Asgjë nuk bëhej në emër të fesë. Unë nuk kam shkuar atje për këtë qëllim. Gjithçka më është shfaqur ndryshe nga to që kisha parë nëpër video ose dëgjuar.
Kur vendosët të ktheheni?
Atëherë kanë qenë disa skena luftimesh që isha shumë i “zbuluar” dhe fillova të merrja famë të madhe për atë zonë ku qëndroja dhe, kjo më bëri të frikësohesha. Kjo pasi atje gjithmonë një famë ka një rrëzim dhe mendova që shumë shpejt do të ngrihej një atentat ndaj meje. Këtu mendova që të kthehesha mbrapsht. Ardhja këtu në Shqipëri më pas hapi shumë pikëpyetje dhe pikëçuditëse, qoftë tek strukturat e shtetit qoftë edhe tek shokët e mi, të cilët mendonin se mos isha ndonjë spiun. Përderisa unë isha atje dhe u ktheva përsëri këtu, ata vetëm këtë gjë mendonin. Për t’i mbyllur këto pikëpyetje, mua mu desh që të bëja udhëtimin e dytë. E bëra këtë udhëtim të dytë pasi doja të pastroja figurën time. Ia arrita qëllimit, pasi e bëra atë që kisha për të kryer në udhëtimin e dytë dhe u ktheva përsëri mbrapsht pasi nuk kisha arsye qëndrimi atje.
Po familja juaj çfarë mendonte për këto udhëtime në Siri?
Familja ime me herën e parë nuk kanë pas dijeni, ndërsa kur ika herën e dytë i thash të gjithëve. Ka qenë muaji tetor i vitit 2013 dhe kam qëndruar vetëm një muaj. Do të shkoj, i thashë familjes, por jo për të luftuar, do të shkoj për diçka tjetër (arsyen e së cilës nuk dua ta tregoj). E mbajta fjalën që dhashë dhe u ktheva mbrapsht. Herën e dytë kur shkova është kur u vra atje Hamit Muslija nga Puka dhe, vetëm ky ka qenë momenti kur unë jam përfshirë në konflikt. Kjo për shkak se doja të hyja dhe të merrja trupin e tij. Ai u vra nga kurdët dhe ne u detyruam që të shkonim ta merrnim. Mirëpo kjo kohë ka zgjatur rreth një muaj, ngaqë më njihnin se kush isha dhe më lanë zonën e Idlib (qytetit mes Sirisë dhe Turqisë). Herën e dytë dhe mund të kisha qëndruar atje, por disa organizata të rrezikshme që lindën nga Iraku në atë kohë dhe, flisnin në emër të fesë kur bënin veprime nga më çnjerëzore. Ata vetëm me fenë nuk kishin lidhje fare, sepse feja nuk ekzistonte në ideologjitë e tyre. Ata flisnin: “O do jesh me mua, o do jesh armiku im”. Kjo lloj ideologjie më bëri që unë të kthehesha mbrapsht, sepse mund të kisha qëndruar edhe dy muaj atje. Mirëpo këto patën një rrjedhë shumë të shpejtë dhe unë, për të mos u përfshirë me këto konflikte që ishin mes palësh, mendova që më e mira ishte të kthehesha mbrapsht. Nuk kishin ndonjë organizim nga shqiptarët atje.
Gjatë kohës që qëndrove, a njohe ndonjë shqiptar tjetër që luftonte?
Kur kam shkuar herën e dytë kam takuar shumë shqiptarë, pasi atje shkova me qëllim për të takuar disa persona, qoftë ata që kanë dalë nëpër video, qoftë edhe disa të tjerë që nuk kanë bërë as foto dhe as video. Kur bëra atë që kisha për të bërë u ktheva në Turqi, nga aty në Greqi dhe më pas në Shqipëri.
A ishte e vështirë të ktheheshe prej andej?
Shumë e vështirë ka qenë. Të them kështu, sepse atje shikoheshin me një sy tjetër ata që ktheheshin mbrapsht. Herën e parë e kam pasur më të lehtë sesa të dytën. Ishte e rrezikshme qoftë nga ushtria turke, qoftë edhe nga kushdo. Kur të shikonin me mjekër ata mendonin që do të ishe sirian ose ka qenë për të luftuar në Siri. Pra kthimi nga andej kishte problemet e saj.
Po tani ku jetoni, me çfarë merreni?
Unë tani jetoj në Pukë, kam hapur një biznes timin dhe shumë shpejt shpresoj ta zgjeroj në të gjithë Shqipërinë. Unë nuk jam një person që isha “pabuks” dhe doja të shkoja atje, që domethënë kam pasur ekonominë e mirë. Biznesin e kam ndjekur gjithmonë. Jam kthyer në kahun e jetës, në ndryshim me atë çfarë ka ndodhur më parë. Unë jam i martuar, kam dy vajza dhe një djalë dhe dua që ata të jetojnë normal.
20160814120120812646

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Ditari:
error: